RRUFE

“Thirrëm edhe mua” për luftimin e kancerit të gjirit

“Jam Jeta, jam përkufizim i asaj që kam luftuar për ta mbrojtur. Kur kuptova diagnozën time, ndjeva një erë të ftohtë e cila ma përshkoi tërë trupin…”, ka recituar njëra prej shtatë nxënëseve, që nën përgatitjen e profesoreshë Emine Berisha, lexuan histori aktivistesh dhe grash të mbijetuara të kancerit të gjirit, para se në mjediset e shkollës së artit, “Çesk Zadeja”, në Ferizaj në mbrëmjen e 22 tetorit, të hapej ekspozita “Thirrëm edhe mua”.

Ekspozita është shprehje e fuqishme artistike e 43 piktoreve që nëpërmjet pikturave në kuadër të aktiviteteve të “Muajit rozë”, kanë dashur t’u japin zë dhe zemër grave të prekura prej kancerit.

“Nuk e di cila fuqi më mbajti në këmbë”

Jalldëze Mustafa, kuratore e “Thirrëm edhe mua”, i ka falënderuar të gjitha artistet, të cilat nëpërmjet pikturave kanë shprehur emocionet dhe frymëzimin e tyre. “Dhe kanë bërë që kjo ekspozitë të jetë një thirrje për sensibilizim, t’u kushtohet gjithë grave dhe t’u tregohet gjithë grave se nuk janë vetëm”, ka thënë Mustafa, duke falënderuar artisten ferizajase, Pranvera Sylejmani, që si pjesëmarrëse e ekspozitës së hapur së pari në Gjilan, organizoi ekspozimin e “Thirrëm edhe mua” në shkollën ku punon si mësimdhënëse pikture.

Në mesin e dhjetëra pikturave të ekspozuara në objektin e shkollës së parë shqipe dhe gjimnazit të parë në Ferizaj, ndërtuar më 1928, artistet u janë bërë krah grave që vuajnë nga kanceri i gjirit. Nëpërmjet pikturave, si ajo ku njëra prej piktoreve ka paraqitur tumorin në gjirin e një gruaje, grave u është bërë thirrje që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e masave preventive kundër sëmundjeve kanceroze.

“(Gruaja,v.j.)t’i përkushtohet dashurisë ndaj vetes. Kur ka dashuri ndaj vetes, atëherë ka dashuri të japë për gjithë; për familjen, për shoqërinë, për të gjithë”, ka thënë Mustafa.

Gjendjen e tyre paraprakisht e përmbledh Jeta e recitalit. “Nuk e di cila fuqi më mbajti në këmbë, nuk e di besomëni”, thotë Jeta ndërkohë kah mesi i pjesës së saj të recitalit me gjashtë shoqet. “Nuk doja të takoja njeri, nuk doja të flisja me askënd. M’u duk se çdo gjë mori fund për mua.”.

Thirrjet për sa më shumë vizita mjekësore

Artistja Sylejmani ka thënë se ka ngulmuar që “Thirrëm edhe mua” ta ekspozonte edhe në Ferizaj për shkak të mesazheve të fuqishme të pikturave të 42 kolegeve të saj pjesëmarrëse.

“Ne si artiste, duke pasur parasysh se sa e lehtë është me përcjellë mesazhin përmes së bukurës, siç është arti, vendosëm që sonte t’ju mbledhin bashkë”, ka thënë Sylejmani, duke shtuar se gratë të prekura me kancer kanë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e gjithsecilit në shoqëri.

Nëpërmjet ngjyrave të pikturave, përçohet mesazhi i shpresës dhe rimëkëmbjes së grave në luftën kundër kancerit të gjirit.

Drejtori i Drejtorisë komunale të Shëndetësisë të Ferizajt, Kemajl Emini, ka treguar se deri në fund të vitit, të gjitha gratë mund të bëjnë kontrolle dhe mamografi falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj. “Është mirë që ky muaj të shfrytëzohet për një ndërgjegjësim dhe një sensibilizim të grave, nënave dhe motrave tona” që t’i vizitojnë institucionet shëndetësore për kontrolle të ndryshme, ka thënë Emini për parandalimin e kancerit të gjirit. “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, ishte mesazhi i ekspozitës.

“Rifillova përsëri nga e para”

Afërdita Muharremi, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka thënë se aktivitetet ndërgjegjësuese nuk duhet të tkurren vetëm në muajin tetor. “Janë tri armë, të cilat janë shumë të rëndësishme. E para është të vetëdijesohemi, arma e dytë, të vetë-kontrollohemi, ose të vetë-ekzaminohemi dhe në fund është arma e tretë”, ka theksuar ajo, duke u ndalur kastile sa për ta ngritur vëmendjen e të pranishmëve, kryesisht gra, para se të vazhdonte: “… mamografia”.

“Meqë të gjitha luftërat luftohen me armë të fuqishme, mirëpo nëse nuk fitohet lufta, lufta vazhdon për jetën, sepse jeta është shumë e rëndësishme”, ka thënë Muharremi, e cila ka mbi dy dekada që përditë punon me gra që trajtohen nga kanceri, ose që vizitohen si masë parandaluese.

“Kishte ditë kur trupi më bënte të ndjehesha e pafuqishme. Ditët, javët, muajt kalonin. Fillova të ndjeja përsëri aromën e bukës, aromën e jetës, të cilën kishte kohë që s’e kisha ndier”, do të recitonte para hapjes së ekspozitës shkollarja e “Çesk Zadejës” në emër të Jetës që do ta fitonte luftën me kancerin. “Rifillova përsëri nga e para. Hapa dritaren e së ardhmes që të mos dorëzohesha më kurrë”, ishte mesazhi i saj në fund të pjesës artistike të mbyllur me duartrokitjen e audiencës, ku kishte edhe të mbijetuara të sëmundjeve kanceroze. Pas recitalit të shtatë nxënëseve, të përformuar poshtë shkallëve të shkollës, artistet dhe pjesëmarrësit janë ngjitur shkallëve për të parë pikturat e 43 artisteve të “Thirrëm edhe mua” për luftimin e kancerit të gjirit dhe për jetën plot ngjyra pas luftës së fituar.


Postuar

,

nga