Një sulm ajror izraelit në orët e hershme të së premtes (25.10.2024) ka lënë të vdekur së paku tre gazetarë derisa ishin në gjumë në një bujtinë në Hasbaya në Libanin jugor, raporton Reuters duke iu referuar raporteve të mediave libaneze.
Në mesin e të vrarëve ishte kameramani Ghassan Najjar dhe inxhinieri Mohamed Reda, i cili punonte për portalin informativ pro-iranian, “Al-Mayadeen”, dhe një kameraman që punonte për “Al-Manarin” e “Hezbollahut”, ka rpaortuar “Al-Mayadeen”.
Reporterët në vendin e ngjarjes kanë thënë se bujtina ku po flinin gazetarët është qëlluar direkt.
“Shënjestrimi i bujtinës së gazetarëve” ishte i qëllimshëm, dhe ka gazetarë të lënduar të kanaleve të tjera arabe”, ka thënë Ghassan bin Jiddo, drejtor i “Al-Mayadeenit”, në një postim në X.
“Ne mbajmë përgjegjës të drejtpërdrejt pushtimin për këtë krim lufte, ku ekipe gazetarësh, përfshirë ekipin e ‘Al-Muyadeen’, u qëlluan”.
Nuk ka pasur ndonjë deklaratë të menjëhershme nga Izraeli.
Vrasje ndodhi vetëm 24 orë pasi një sulm ajror izraelit qëlloi një zyrë të “Al-Mayadeenit” në periferitë jugore të Bejrutit.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një person u vra dhe pesë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën prej sulmit ajror.
Autoritetet libaneze thonë se fushata ushtarake izraelite ka lënë të vdekur më shumë se 2.500 persona dhe se ka zhvendosur më shumë se një milionë banorë, duke shkaktuar krizë humanitare në Liban.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com