Rreth 180 raketa janë gjuajtur nga Irani drejt Izraelit, kanë thënë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), raporton BBC.
Një zyrtar izraelit i sigurisë thotë se shumica e këtyre raketave janë kapur nga Forcat Ajrore të Izraelit në bashkëpunim me Komandën Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA-së.
Disa goditje janë identifikuar dhe dëmet nga ato goditje po vlerësohen aktualisht, thonë ata.
Në anën tjetër, i kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të Parlamentit Iranian, Ebrahim Azizi, ka thënë në televizionin shtetëror iranian se kjo ishte vala e parë e sulmeve të forcave të Gardës Revolucionare Islamike.
Ai thotë se “qendrat dhe objektet ushtarake izraelite ishin objektivat tona, por sulmet mund të kenë shkaktuar goditje ndaj civilëve për shkak të llogaritjeve të mundshme të gabuara”.
Azizi thotë se nëse Izraeli “bën një gabim” përsëri, do të ketë një valë të dytë që do të jetë “edhe më shkatërruese.”
Ai shton se sipas vlerësimeve të Iranit, Izraeli “nuk mund të hakmerret” për sulmin e sotëm të Iranit.
Ushtria izraelite tha sot më 01.10.2024 se Irani ka nisur raketa në drejtim të Izraelit dhe se cak i predhave të lëshuara nga Irani janë rreth dhjetë milionë civilë në zona të ndryshme të vendit.
Autoritetet në Izrael gjithashtu raportuan se sirena alarmi u lëshuan në gjithë Izraelin dhe se banorët janë udhëzuar të kërkojnë strehim të sigurt.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga sulmet e Iranit me raketa dhe për ta mbrojtur personelin ushtarak amerikan në rajon.BBC.
Përgatiti: Vlera Shabani/KALLXO.com