Një person ka vdekur në një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prizren – Vërmicë, më 13.10.2024 rreth orës 14:40.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ai ka njoftuar se viktima ka shkaktuar vetaksident me motoçikletë.
“Me datë 13.10.2024 rreth orës 14:40, është pranuar informata se në Autostradën “Ibrahim Rugova” Km-3; drejtimi Prizren Jug-Vërmicë është shkaktuar një vetaksident trafiku me motor. Njësitë policore për kontroll të autostradës, përfshirë edhe njësinë e hetimeve kanë dal ne vendin e ngjarjes për procedura të nevojshme hetimore. Mjekët kujdestar kanë konstatuar se personi ka qenë pa shenja jete”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Hoxha ka njoftuar se sipas analizave të aksidenteve në Kosovë, nga 70 persona që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën “Janar-Shtator 2024”, 39 apo rreth 55%, kanë qenë shoferë, përderisa rreth 24% të aksidenteve fatale kanë qenë vetaksidente.
“Andaj, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti nga drejtuesit ( të të gjitha mjeteve) që të jenë vigjilent gjatë ngasjes, të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë”- ka thënë ai.
Sipas tij, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik.