RRUFE

VIDEO – Rrëfimi i nënës për kushtet e rënda në shkollë për djalin e saj me aftësi të kufizuara

Në një video-material i cili u publikua në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës krahas debatit “Jeta në Komunë” është edhe rrëfimi i një nëne, e cila sfidohet çdo ditë nga mungesa e qasjes në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në këtë qytet. 

Sipas Miradije Salihut, djali i saj me karrocë i cili është nxënës në këtë shkollë ka vështirësi për qasje brenda objektit.

Hapësirat brenda shkollës nuk janë të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. 

Nxënësi nuk mund të shkojë në katin e lartë për të ndjekur lëndët mësimore, ndërsa sfida kryesore është tualeti. Kjo shkollë ka një banjo të posaçme për persona me aftësi të kufizuara, por nuk është funksionale. 

Shkolla i ka ofruar Miradies një çelës të një banjoje, e cila nga pamjet shihet se hapësira e derës është e ngushtë për qarkullim me karrocë. 

Miradije Salihu me djalin e saj, nxënës i gjimnazit “Hyvzi Sylejmani”

“Kurrgjë nuk ka bë komuna për me ndreqë, e para është tualeti që nuk ka për personat me aftësi të kufizuar, nuk është funksionale. Po kam problem se po duhet me dërgu në një lokal. Për mu si nanë është sfidë. Këtë banjon që ma ka dhanë shkolla një çelës me shfrytëzu, e kemi shfrytëzu tepër pak, u kanë shumë e papastër e s’ka pasë as unë” – thotë Salihu duke shtuar se nuk iu është mundësuar ende që djali i saj të ketë një asistent. 

Ky video-material nxiti debat në sallën e Kuvendit të Fushë Kosovës. 

Drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha nuk u pajtua me pretendimet e Miradije Salihut. 

“Trajtimi ndaj këtij fëmije, është i veçantë. Ai e ka banjon personale. Ajo banjo që është në video, nuk e përdor ai nxënës. Ai përdorë banjon e kabinetit të mësimdhënësve me një lëshim që edhe nuk është i zgjidhur – vetëm guaca nuk është në favor të tij. Mbi 75 fëmijë i kemi me aftësi të kufizuar në Fushë Kosovë dhe nuk mundemi rekrutu asistent për secilin, nuk e kemi me ligj të obligum” – tha Berisha.

Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit