RRUFE

Von der Leyen: Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit

Kosova është përgëzuar për punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit 2024, Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga kjo Pako.

Punën që ka bërë Kosova e përgëzoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë qëndrimit të saj në Kosovë më 26.10.2024, ku u takua me zyrtarët e lartë shtetërorë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

“Tashmë i kemi hapur sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që, për shembull, kompanitë nga Kosova mund të kenë qasje në tregun e përbashkët. Për këtë arsye na nevojiten reforma që të kemi një nivel të barabartë të pjesëmarrjes. Por, këto reforma do të shoqërohen me investime shtesë evropiane”- tha von der Leyen në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin.

Von der Leyen shtoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut të BE-së të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët.

Presidentja e KE-së tha se zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj gjatë mandatit të dytë, pasi që dëshiron që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut europian.

Më 23.10.2024, është aprovuar agjenda e reformave të Kosovës nga Komisioni Europian, në kuadër të Planit të Rritjes. 

Miratimi i këtyre reformave krijon mundësinë e kryerjes së pagesave të para, prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro deri në fund të vitit 2027.

Përveç për Kosovën, Komisioni Europian  ka miratuar agjendat edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti të cilin ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Europian.

Qeveria e Kosovës, më 09.10.2024, kishte miratuar Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.


Postuar

nga