Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e kishte anuluar një takim me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë qëndrimit të saj në Beograd. Atje ishte takuar vetëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Për refuzimin që bëri në Beograd, Von der Leyen u pyet gjatë vizitës së saj në Kosovë. Megjithatë, presidentja e KE-së, refuzoi të përgjigjet direkt.
“Për mua ishte mesazh i qartë që presidenti i Serbisë më priti në takim. Dhe para meje priti në takim kryeministrin e Polonisë dhe e Greqisë, në vend se të shkonte në Kazan. Ishte mesazh shumë i qartë”- u përgjigj ajo në pyetjen e parashtuar prej gazetarëve në konferencën e përbashkët për media në Prishtinë së bashku me presidenten Vjosa Osmani më 26.10.2024.
Presidentja Osmani tha se është fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia.
Sipas saj, është koha e fundit që vendosmëria që BE-ja ka shpërfaqur ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë, duke e pasur këtu fjalën për Serbinë.
Kazan është qytet në Rusi ku më 24.10.2024 u mbajt Samiti i BRICS-it. Ky samit u organizua nga presidenti rus, Vladimit Putin, e ku morën pjesë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë nga Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe nga vendet tjera që synojnë të jenë pjesë e BRICS.
Një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Erigc Mamer, për Radio Evropën e Lirë, kishte thënë se arsyeja e anulimit të takimit ishte sepse Vuçeviq kishte mbajtur paraprakisht në po të njëjtën ditë takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Po i njëjti person, Reshetnikov është në mesin e zyrtarëve rusë të sanksionuar nga faktori ndërkombëtar për shkak të pushtimit të Rusisë në Ukrainë.
Në lidhje me këtë çështje, Vuçiq kishte thënë për median serbe “N1”, se Vuçeviq nuk ka faj që Ursula von der Leyen e anuloi takimin me të.
Von der Leyen po qëndroj për vizitë zyrtare në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës u prit në mëngjesin e 26 tetorit nga zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, për të vazhduar më pas me takime zyrtare me liderët shtetërorë, kreyeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Von der Leyen që nga mesi i kësaj jave zhvilloi takime zyrtare në shtetet e Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilave fokus kryesor ishin diskutimet për Planin e Rritjes.