RRUFE

Zhvillimet në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, Policia po interviston katër persona

Katër persona janë aktualisht në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut duke u intervistuar nga ana e hetuesve lidhur me zhvillimet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.

Elshani tutje shtoi se katër personat janë duke u intervistuar lidhur me dyshimin për dëmtim kriminal, në rastin e dy veturave që u janë shpërthyer gomat.

“Ka pasur një stikers që është vendosur fillimisht në një përmendore aty afër. Një masë e njerëzve (prej rreth 10 personave) është mbledhur  dhe kemi dy vetura që u janë shpërthyer gomat me mjete të mprehta, nga një gomë në secilën veturë, dhe tash Policia po e heton këtë rast” – tha Elshani.

Disa qytetarë u mblodhën sonte, më 31.10.2024, afër pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Ata u mblodhën në shenjë revolte ndaj vendosjes së parullave në serbisht me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt” edhe në pllakën e dëshmorit Avni Hajredini.

Djali i dëshmorit Avni Hajredini, Donik Hajredini, në një prononcim për KALLXO.com tha se qytetarët shqiptarë i larguan posterët nga pllaka përkujtimore.

“Qytetarët kanë kalu kësajde, disa qytetarë e kanë largu posterin, i cili ka qenë i vendosur mbi emblemë të Policisë së Kosovës. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, i kanë gjujtë polikolor, e kanë thy me çekiq”- tha ai.

Posterë me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt” janë vendosur përgjatë sheshit “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut më 31.10.2024.


Postuar

nga