Ushtria e Sudanit dhe rivali i saj paramilitar kanë bllokuar qasjen e agjencive humanitare të OKB-së në zonat e shkatërruara nga lufta në vend, ku njerëzit po vdesin urie, ka shkruar të premten më 18.10.2024 agjencia e lajmeve Reuters në një shkrim të gjatë hulumtues për gjendjen në shtetin afrikan. Kriza e madhe e ushqimit është vetëm një pjesë ilustrimi e asaj çfarë ndodh kur dështon sistemi global për luftimin e zisë së bukës.
Dhe më shumë se gjysma e këtij vendi prej 50 milionë banorësh po vdes urie, shkruan Reuters. Qindra persona llogaritet se vdesin çdo ditë nga uria ose nga sëmundje të lidhura me të.
Njerëzit po hanë gjethe
Por ndihma humanitare ndërkombëtare, kritike për shpëtimin e jetës së tyre nuk po arrijnë vatrat e prekura nga lufta. Banorët thonë se po vuajnë dëshpërimisht për vaj, krip, drithëra dhe ushqime të tjera. Në mesin e tyre është edhe Raous Fleg, nënë 39-vjeçare e nëntë fëmijëve. Ajo jeton në një kamp me personat e zhvendosur në rajonin Boram në Kordofanin Jugor, duke u strehuar pas shpërthimit të luftimeve të luftës civile ndërmjet ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Prej se Fleg ka arritur në këtë vend nëntë muaj më parë, Kombet e Bashkuara ia kanë dalë të çojnë ushqim vetëm një herë – dikur në maj. Sasia e ushqimit që kishte marrë familja e saj u harxhua për dhjetë ditë. Kampi, që llogaritet se ka strehuar më shumë se pesëdhjetë mijë të zhvendosur, qeveriset prej kryengritësve lokalë, të cilët kontrollojnë gjysmën e shtetit. Zyrtarët e ndihmës kanë thënë se ushtria sudaneze nuk po lejon që ndihma të kalojnë përtej zonave të saj të kontrollit.
Prandaj, pas lindjes së diellit, Fleg dhe gratë e tjera në kamp bëhen bashkë dhe shkojnë dy orë e gjysmë larg në këmbë për të mbledhur gjethe. Kështu ato ia dalin të shuajnë sadopak urinë e madhe në të cilën janë zhytur banorët e kampit. I ziejnë në tenxhere dhe u hedhin fara të ndryshme sa të mund t’i hanë gjethet. Por as kjo nuk bën punë. Disa banorë kanë vdekur shkaku i urisë, thonë mjekët. Në mesin e tyre është edhe nëna e Flegut.
“Erdha këtu dhe nuk kishte asgjë për të ngrënë”, ka thënë Fleg. “Ka ditë kur nuk e di a jam gjallë a e vdekur”.
Dështimi i përbashkët botëror
Bota ka një sistem të organizuar për monitorimin dhe luftimin e urisë në katër anët e tokës. Ai përbëhet prej agjencive humanitare të OKB-së dhe grupeve ndërqeveritare, por ka edhe donatorë të mëdhenj perëndimorë, të prirë Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters. Ata ofrojnë ekspertizë teknike për të identifikuar zonat e urisë dhe miliarda dollarë në vit ndahen për t’i ndihmuar njerëzit e uritur.
“Sudani është një shembull i qartë i asaj që ndodh kur dështon faza përfundimtare, kritike në atë sistem të ndërlikuar – dërgimi i ushqimit tek të uriturit. Dhe ekspozon një premisë të lëkundur mbi të cilën mbështetet sistemi: që qeveritë në vendet e goditura nga uria do ta mirëpresin ndihmën|, vlerëson Reuters në raportin special për krizën e ushqimit në Sudan.
Ndonjëherë, në Sudan dhe gjetkë, qeveritë dhe palët ndërluftuese bllokojnë ofruesit e ndihmës thelbësore – duke përfshirë krahun kryesor të ndihmës ushqimore të OKB-së, Programin Botëror të Ushqimit (WFP) –për dërgimin e ushqimit te të uriturit. Dhe këto organizata ndonjëherë janë të paafta ose kanë frikë të tërhiqen.
Në gusht, monitoruesi kryesor i urisë në botë raportoi se lufta në Sudan dhe kufizimet në dërgimin e ndihmave kanë shkaktuar zi buke në të paktën një vend, në shtetin e Darfurit të Veriut, dhe se zona të tjera të vendit po përjetonin potencialisht zi buke. Më herët, mbikëqyrësi i urisë, i njohur si Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), njoftoi se nëntë milionë persona – pothuajse një e pesta e popullsisë së Sudanit – ndodhen në emergjencë ushqimore ose më keq, që do të thotë se nevojitet veprim i menjëhershëm për të shpëtuar jetë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com