RRUFE

Zyra e BE-së në Kosovë: Kosova përfituesi më i madh në rajon për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka bërë të ditur më 16.10.2024 se Kosova është përfituesi më i madh në rajon nga Fondi i Garancisë për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe KfW (Banka Gjermane për Zhvillim), në mbështetje të qëndrueshmërisë së ndërmarrësve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. 

Vlera e marrëveshjes së nënshkruar bashkë me Fondin Kosovar të Garancisë Kreditore është 22,1 milionë euro, thuhet në njoftim.

“Urime Fondit Kosovar të Garancisë Kreditore që na është bashkuar në këtë përpjekje jetike duke nënshkruar marrëveshjen prej 22,1 milionë euro! Roli juaj në shpërndarjen e këtyre fondeve të garancisë kreditore është thelbësor për rritjen e ekonomisë së Kosovës”- theksohet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Tutje Zyra e BE-së në Kosovë ka shkruar se qëllimi i kësaj nisme është të mundësojë përshkallëzimin e investimeve në fusha që kontribuojnë drejtëpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal dhe në veçanti duke rritur konkurrencën e rajonit dhe krijimin e vendeve të punës.

 


Postuar

nga