Në shenjë kujtimi për protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit që nuk lejoi arsimin në gjuhën shqipe, të martën më 01.10.2024, Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, organizuan për herë të parë Ditën e Studentëve, e cila sipas statutit të ri do jetë më 1 tetor.
Pjesëmarrës në këtë organizim ishin shumë studentë e ish pjesëmarrës të protestave të vitit 1997, në mesin e tyre tashmë edhe profesorë të Universitetit të Prishtinës.
Arsim Ademi, zv/ministër i Arsimit u shpreh se kjo ditë është datë historike pasi “ishte ringritje pas disa viteve qetësi” dhe “na dha frymëzim për të vazhduar tutje për liri të vendit”.
Në vitin 1992 pasi autoritetet serbe ndaluan mësimin në shqip brenda objekteve shkollore dhe universitare, nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit shfrytëzuan shtëpitë private duke krijuar një sistem paralel të arsimit.
Prorektori Avni Hajdari shtoi se tashmë kjo datë do jetë Dita e Studentëve.
“Kjo është ditë e vecantë edhe për profesorët dhe kujtesën që studentët dhanë si kontribut në shtetndërtim të Kosovës”.
Derisa, Blerta Zeqiraj, kryetare e Parlamentit studentor tha se 1 tetori i 1997 ishte simbol qëndrese.
“Suprimimi i autonomisë së Kosovës solli pasiguri të thella sidomos në arsimin e lartë. Ishte kohë kur studentët treguan se e drejta e që kishin ishte domosdoshmëri”- tha ajo.
E aktivistja e shoqërisë civile që atë kohë ishte protestuese si studente, Mihane Salihu-Bala, u shpreh se për të është kënaqësi që pas 27 vitesh të shoh se si studentët kanë shumë mundësi para vetes.
“Kur i shoh ato foto, vërej se ka pas më pak vajza në front të protestave edhe pse në organizim kanë qenë të barabartë, por edhe në kuota të studentëve”.
Përderisa anëtarët e Këshillit të Protestave të vitit 1997 u nderuan me mirënjohje për kontributin e dhënë për Universitetin e Prishtinës.
Në shtator të vitit 1996, Sllobodan Millosheviq dhe Ibrahim Rugova, kishin arritur një marrëveshje që do t’u lejonte studentëve shqiptarë të përdornin përsëri objektet e shkollave.
Por, Millosheviq nuk e zbatoi marrëveshjen duke shkaktuar zemërimin që çoi në demonstratën e 1 tetorit 1997, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Studentët në vitin 1997 kishin planifikuar të marshonin nga lagjja Velania e Prishtinës drejt qendrës së qytetit dhe të përpiqeshin të hynin në objektet e universitetit.
Por, ata u ndaluan nga milicia e atëhershme serbe, e cila arrestoi udhëheqësit e Unionit të Pavarur të Studentëve. Protesta u pa si një pikë kyçe në luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Beogradit.